Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi, duke filluar nga dita e djeshme ka nisur në të gjithë vendin, shpërndarja e bonusit prej 5 mijë lekësh për pensionistët. Nga ky bonus që qeveria shqiptare ka vendosur t’iu dhurojë pensionistëve shqiptarë nga mbledhja e të ardhurave nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, përfitojnë të gjithë kategoritë e pensioneve dhe bëhet fjalë për rreth 678 mijë qytetarë. Kështu, të gjithë ata që përfitojnë pension pleqërie, pension familjar, pension invaliditeti, trajtime të veçanta, minatorë që kanë dalë në pension sipas ligjit 150, naftëtarë, metalurgë, ish-ushtarakët etj, të gjithë këto kategori do të trajtohen me 5 mijë lekë të reja. Fondi që është akorduar nga qeveria është 3.5 miliardë lekë të reja. Bonusi nuk është një detyrim që rrjedh nga ligji për sigurimet shoqërore, është vullnet politik i qeverisë. Dje ishte dita e parë që ka filluar procesi i shpërndarjes së shpërblimit dhe marrja e bonusit për pensionistët do të bëhet sipas grafikut të Postës Shqiptare. Por mësohet se jo domosdoshmërisht shpërblimi duhet tërhequr deri në datën 30 të këtij muaji, pasi afati i tërheqjes është 36 muaj, njësoj si afati për pensionet e patërhequra. Për pensionistët të cilët jetojnë në zonat rurale dhe nuk kanë mundësi ta tërheqin në bankë ose në postë, Posta Shqiptare ua dërgon me postier.
Paga mesatare 900 euro
Por përveç bonusit të pensioneve, edhe deklarata e kryeministrit Edi Rama për të bërë pagën mesatare në 2024, 900 euro në muaj ka ngjallur jo pak debat dhe skepticizëm për realizimin e saj. Për këtë arsye dhe për të treguara detaje, dje ka folur edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Kjo e fundit në një intervistë televizive dje, theksoi se ky është një objektiv i realizueshëm në dy vite dhe tre janë burimet se ku do të gjenden paratë për këtë nismë. “Së pari ,ne do të vijojmë punën fort që pagat në sektorin privat të mos jenë të nëndeklaruara, duke shmangur evazionin. Së dyti, strategjia afatmesme e të ardhurave na dikton që do të heqim disa përjashtime tatimore për të reduktuar evazionin, çka do të thotë më shumë para në arkën e shtetit dhe së treti, do të bëjmë disa lëvizje në shpenzimet buxhetore, pa cenuar treguesit kryesorë, për të alokuar fondet tek pagat”, u shpreh ministrja. Sipas ministres, qeveria ka kohë që po analizon tregun e pagave për t’i bërë rrogat e administratës më konkurruese. “Kjo nuk është një nismë që na erdhi si ide sot, por kemi muaj që punojmë duke bërë një analizë të pagave të administratës publike me vendet e rajonit. Duke rritur pagat e administratës, kjo do të shërbejë edhe si presion që edhe biznesi privat të rrisë më tej rrogat e punonjësve”, sqaroi Ibrahimaj.
Si do të rriten pagat në sektorin privat? Ibrahimaj tregon planin e qeverisë
Ndërkohë qeveria ka në plan të gjejë mekanizma në mënyrë që të formalizojë, por edhe të rrisë më tej pagat në sektorin privat. Sipas ministres së Financave, një nga mënyrat që po vlerësohet është përcaktimi i një page dysheme, për punonjësit që janë pjesë e kompanive të mëdha, që përdorin fonde publike. Kjo “pagë referencë” është ende në diskutim, por synohet që zbatimi saj të jetë një kusht që kompanitë të marrin pjesë në tenderët publikë. “Për tenderët publikë, për kontratat e mëdha publike do të përcaktojmë një pagë minimale sektoriale, me qëllim që ato kompani që përdorin fonde publike të garantojmë që nuk kryejnë informalitet dhe nuk kryejnë nëndeklarim të pagave”, nënvizoi ajo. Më herët ministrja e Financave, ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se reforma e pagave është një hap të cilin qeveria e ka menduar prej kohësh dhe ka punuar për të.