Në Shqipëri, Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni parlamentar i Ligjeve, votuan sot në favor të ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë shtyrjen e mandatit të institucioneve të vettingut.
Në qershor të këtij viti skadon afati për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerët publik, ndërkohë që llogaritet që deri në atë kohë të paktën 30 përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të mos i jetë nënshtruar procesit të rivlerësimit. Sipas propozimit të shumicës, zgjatja e mandatit duhet të bëhet deri në fund të viti 2024.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, pas përfundimit të mandatit të KPK-së, rivlerësimi të mund të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët. Por në këtë fazë, siç shprehet në Opnionin e tij dhe Komisioni i Venecias, një gjë e tillë rrezikon të çojë në mospërputhje të standardeve dhe praktikave të ndjekura deri tani.
Më herët, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara ishin shprehur përveç ambasadës amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë, edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), struktura e përbërë nga ekspertë të huaj që mbikqyr procesin e rivlerësimit.
MIratimi sot i ndryshimeve kushtetuese i hap rrugë kalimit të çështjes për votim në sallën e parlamentit, ku socialistëve u duhen dhe vota nga opozita. Demokratët nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme. Ata kanë patur kritika të forta ndaj zbatimit të reformës në Drejtësi, dhe nuk kanë dalë ende me një vendim të prerë ndaj zgjatjes ose jo të mandatit./VOA